Ti po shkon te një popull që janë ithtarë të Librit. Kur të arrish tek ata, thirri të dëshmojnë se askush përveç Allahut nuk meriton të adhurohet dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut
Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: "Kur i Dërguari i Allahut ﷺ e dërgoi Muadh ibn Xhebelin në Jemen, i tha: “Ti po shkon te një popull që janë ithtarë të Librit. Kur të arrish tek ata, thirri të dëshmojnë se askush përveç Allahut nuk meriton të adhurohet dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut. Nëse të binden në këtë, tregoju se Allahu ua ka bërë obligim pesë namaze brenda ditës e natës. Nëse të binden në këtë, tregoju se Allahu ua ka bërë obligim zekatin, që u merret të pasurve e u jepet të varfërve të tyre. E, nëse të binden, kujdes, mos ua merr pasurinë e çmuar! Ruaju lutjes së atij që i bëhet padrejtësi, sepse mes tij dhe Allahut nuk ka perde!”
Ky hadith është sahih
Muttefek alejhi
Shpjegimi
Kur Profeti ﷺ e dërgoi Muadh ibn Xhebelin (Allahu qoftë i kënaqur me të!), në Jemen, - si thirrës për tek Allahu dhe mësues, - ia sqaroi se do të përballej me një grup të krishterësh, që kështu të ishte i gatshëm për ta dhe të fillojë t'i thërrasë ata fillimisht në gjërat më të rëndësishme e kështu me radhë. Pra, së pari i thërret për ta përmirësuar akiden (besimin), që të dëshmojnë se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, sepse me këtë futen në Islam. E, nëse i nënshtrohen kësaj, atëherë urdhërohen ta falin namazin, sepse ai është obligimi më i madh pas teuhidit (monoteizmit). Nëse ata e falin namazin, atëherë i urdhëron të pasurit e tyre që ta japin zekatin e pasurisë së tyre për të varfrit e tyre. Më pas ua tërhoqi vërejtjen që të mos ua merrte pasurinë më të çmuar, sepse obligim është ajo e mesmja. Në fund e këshilloi që të shmangë padrejtësinë, respektivisht që të mos lutet kundër tij ndonjë që i është bërë padrejtësi, sepse lutja e tij pranohet.
Hadeeth benefits
Dëshmia se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut nënkupton veçimin e Allahut me adhurim dhe braktisjen e adhurimit kushtuar dikujt tjetër përveç Tij.
Dëshmia se Muhamedi është i Dërguari i Allahut nënkupton besimin në të, në atë gjë me të cilën ka ardhur dhe pohimi se ai është i Dërguari i fundit i Allahut dërguar te njerëzit.
T'i drejtohesh dijetarit dhe atyre që kanë ngjashmëri me të, nuk është njësoj si t'i drejtohesh injorantit, për këtë arsye, i Dërguari i Allahut ﷺ e paralajmëroi Muadhin duke i thënë: “Ti po shkon te një popull që janë ithtarë të Librit."
Rëndësia që muslimani të jetë i vetëdijshëm për fenë e tij, respektivisht të largohen nga dyshimet e atyre që hedhin dyshime, gjë që arrihet duke kërkuar dituri.
Pavlefshmëria e fesë së hebrenjve dhe të krishterëve pas dërgimit të profetit Muhamed ﷺ si i dërguar dhe se ata nuk do të jenë prej atyre që do të shpëtojnë në Ditën e Kijametit, derisa të hyjnë në fenë islame dhe t'i besojnë Profetit ﷺ.
Share
Use the QR code to easily share the message of Islam with others